Shqipëria po shndërrohet në një konkurrente të fortë të eksportit të frutave dhe perimeve drejt vendeve evropiane.
Prodhimet shqiptare, të vlerësuara për cilësinë dhe përmbushjen e standardeve po zënë bindshëm vend në tregjet e huaja duke zgjeruar kështu rrugën e suksesit të tyre.
Krahas suksesit në eksportin e frutave, veçanërisht mandarinat ndër agrumet shqiptare më të preferuara të evropianëve apo edhe domateve e kastravecave, një prodhim tjetër që dominon eksportin e perimeve shqiptare janë specat e kuq dhe ata djegës.
Prodhimi i specave në Shqipëri është i përqendruar pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Ku qytetet më të spikatura janë Divjaka, Lushnja, Fieri etj.
Së fundmi, shumë fermerë kanë zgjeruar plantacionet e kultivimit të kësaj kulture me qëllim eksportin e tyre drejt tregut të huaj.
Rritja e interesit në tregjet e huaja
Aktualisht, fermerët shqiptarë eksportojnë speca të kuq dhe djegës drejt Kosovës, Maqedonisë e Bullgarisë ndërkohë që kërkesa sa vjen dhe rritet.
Në një kohë kur sistemi i Alarmit i Bashkimit Europian për Kontrollin e Sigurisë së Produkteve po refuzon dhe ndalon hyrjen e prodhimeve me speca të kuq të shteteve të ndryshme si Turqia, të cilat eksportojnë këto perime drejt tregjeve evropiane. E kundërta ndodh me prodhimet shqiptare.
Për shkak të përmbushjes së standardeve, prodhimet shqiptare e kanë kaluar testin e cilësisë së mirë. Duke konkurruar denjësisht prodhuesit e tjerë evropianë.
Fermerë shqiptarë shprehen të kënaqur me shitjet ashtu si edhe me kërkesën që sa vjen dhe rritet.
Shumë prej tyre janë lidhur me pika grumbulluesish. Ndërkohë që këta të fundit janë lidhur me tregtarë të vendeve jashtë Shqipërisë, ku dhe e eksportojnë.
Pse specat e kuq janë më të kërkuarit
Të kuqtë janë ndër llojet me vlera më të larta ushqyese se specat e gjelbër dhe ata të verdhë. Ndaj dhe çmimi i tyre është më i shtrenjtë.
Të gjithë specat janë një burim i jashtëzakonshëm i vitaminës A dhe C. Por të dhënat tregojnë se specat e kuq përmbajnë 11 herë më shumë beta karoten se specat jeshilë.
Specat e kuq që janë edhe më të pjekurit kanë shije më të ëmbël. Ata kanë më shumë antioksidantë të vlefshëm.
Specat e kuq kanë 35% të dozës ditore të vitaminës B6 dhe 7% të dozës ditore të folatit.
Sa më i pasur të jetë ushqimi me këto përbërës, aq më i ulët është rreziku për infarktin, sëmundjet koronare dhe të zemrës në përgjithësi. Ndaj dhe kërkesa për specat e kuq dominon në llojet e tjera të kësaj perimeje.